Friday, January 7, 2011

Arrestohet djali i Arta Dades, plagosi nipin e Adil Çarçanit


Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste Arta Dade, u arrestua dje nga policia e Tiranës me akuzën e plagosjes së rëndë ndaj Endrin Lufit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e të mër-kurës, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Ndryshe nga versioni paraprak i dhënë menjëherë pas ngjarjes, policia e kryeqytetit, pas hetimeve të kryera ka gjetur se nipi i Adil Çarçanit është plagosur prej shtetasit Besnik Dabulla dhe jo nga Shkëlzen Hoxha, nipi i Enver Hoxhës. Policia e Tiranës, në një deklaratë për shtyp tha se ka arrestuar Besnik Dabullën me akuzën e “plagosjes së rëndë” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Në arrestimin e djalit të deputetes socialiste duket se ka influencuar fakti se ai ka tentuar të largohej nga Spitali Ushtarak, ku kishte çuar të plagosurin, sapo ka kuptuar mbërritjen e policisë aty.
Besnik Dabulla
Burime të policisë së Tiranës thanë dje se menjëherë pas plagosjes së shtetasit Endrin Lufi, shtetasi Besnik Dabulla, i pranishëm në vendin e ngjarjes, e ka transportuar të dëmtuarin për në Spitalin Ushtarak me makinën e tij. Policia theksoi se është lajmëruar fillimisht nga urgjenca e Spitalit Ushtarak për mbërritjen e një të plagosuri dhe menjëherë ka nisur shërbimet e saj. Në momentin kur forcat e policisë kanë shkuar në spital, sipas tyre, është vënë re tentativa e shtetasit Besnik Dabulla për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Për këtë shkak, efektivat blu kanë vendosur ndalimin e më pas arrestimin e tij. Deklarata zyrtare e policisë nuk bën të ditura motivet e krimit, por nënvizon faktin se shkrepja e armës ka ndodhur si pasojë e një konflikti mes Besnik Dabullës, Endrin Lufit dhe Shkëlzen Hoxhës. Sipas variantit zyrtar të policisë, të tre personat kanë qenë duke darkuar në lokalin “Liburnia”, në pronësi të Besnik Dabullës, pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Varianti zyrtar i ngjarjes përmend faktin se në konflikt janë përfshirë djali i Arta Dades, Besnik Dabulla; Endrin Lufi, nipi i ish-kryeministrit në kohën e diktaturës, Adil Çarçani; si edhe Shkëlzen Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Policia
“Përgjatë orëve të vona të së mërkurës, në rrugën “Perlat Rexhepi” në Tiranë, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt ku janë përfshirë tre shtetas dhe për pasojë është plagosur rëndë me armë zjarri 34-vjeçari Endrin Agron Lufi. Në vendngjarjes shkuan menjëherë oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe ekspertët kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat”, deklaroi dje policia nëpërmjet zëdhënëses Alma Katragjini. “Nga hetimet e kryera deri më tani, nga specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u konkludua se në këtë konflikt janë përfshirë shtetasit Besnik Dabulla, Endrin Lufi dhe Shkëlzen Hoxha, të cilët në momentin e ngjarjes ndodheshin duke darkuar në ambientet e lokalit “Liburnia” në rrugicat e ish-Bllokut, në pronësi të shtetasit Besnik Dabulla. Ky i fundit dyshohet se është konfliktuar më pas me shtetasit e sipërcituar, ku për pasojë ka plagosur rëndë Endrin Lufin, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë së Tiranës.


Teuta Hoxha: Djali ishte me ne në darkë kur ndodhi ngjarja

TIRANE – Teuta Hoxha, nëna e Shkëlzen Hoxhës, nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, ka reaguar dje në mënyrë të ashpër ndaj akuzave që janë hedhur fillimisht mbi djalin e saj, i cili u akuzua se kishte plagosur Endrin Lufin, nip i Adil Çarçanit. “Jemi shumë të revoltuar nga kjo shpifje e qëllimtë. Ky lajm i përhapur me shpejtësi të madhe në gjithë mediat shqiptare është pa diskutim me qëllim politik për të goditur e diskretituar familjen e Enver Hoxhës”, theksoi Teuta Hoxha në një deklaratë të shpërndarë dje për median. “Dje në mbrëmje (pra të mërkurën, natën që ndodhi ngjarja) e gjithë familja jonë bashkë me Shkëlzenin, kemi qenë për një festë familjare tek “Vila Toskana” në periferi të Tiranës”, shprehet Teuta Hoxha, gruaja e djalit të Enver Hoxhës, në deklaratën e saj. Ajo ka vënë në dukje se lajmin mbi ngjarjen e ndodhur, ajo dhe të afërmit e kanë marrë vesh rreth orës 23.30, nga dikush që telefonoi pasi e kishte parë lajmin të transmetohej në televizione. “Natyrisht që në ato momente të para, ne u shqetësuam shumë për shëndetin e Endrinit. Dhe më pas, kur morëm vesh që gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e rëndë, filluam të interesohemi se nga kishte dalë ai lajm i rremë për Shkëlzenin”, tha Teuta Hoxha. Ajo ka vënë në dukje se “me mediat e ndryshme që u komunikuan, kanë thënë se burimi i lajmit ishte policia. Dhe për ne ishte e besueshme, se në atë orë të vonë të natës, ishte një burim që e kishte shpërndarë në gjithë shtypin shqiptar. E çfarë mbetet të thuash, kur policia bëhet vegël e dizinformimit me ngjyrime politike. Pse e them këtë: sepse edhe sot (të nesërmen e ngjarjes), pas kaq shumë orësh që ka ndodhur ngjarja, kur çdo gjë do ishte sqaruar, pa fare mundim nga ana e policisë, del zëdhënësja e policisë në orën 10 të mëngjesit për komunikimin me shtypin, dhe thotë: “… Shkëlzen Hoxha është përfshirë në konflikt, kur po darkonte bashkë me dy personat e tjerë”. Sipas Teuta Hoxhës, policia vazhdon në versionin e saj të komprometuar. “Ne, familja e Shkëlzen Hoxhës, nipit të Enver Hoxhës, kërkojmë që policia e shtetit shqiptar të bëjë menjëherë publik versionin e vërtetë të ngjarjes, ku të sqarojë publikisht pozicionin e djalit tonë, në të kundërt ne do t’u drejtohemi të gjitha organizmave ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut”, shkruan në deklaratën e saj bashkëshortja e Ilir Hoxhës.

No comments: